Xhinxheri: përfitimet, sa të marrësh dhe kur ta shmangësh

Xhinxheri: përfitimet e vërtetuara për tretjen, të përzierat dhe dhimbjet, sa gram në ditë, si ta përdorësh dhe kush duhet të ketë kujdes.

Nga nutricionisti Pavli Brozi · 6 min lexim

Xhinxheri ka prova të mira për tri gjëra: e shpejton zbrazjen e stomakut, ul të përzierat dhe lehtëson dhimbjet menstruale. Ndihmon pak edhe me dhimbjet e kyçeve, sheqerin në gjak dhe peshën. Në studime janë përdorur zakonisht 1–2 g xhinxher pluhur në ditë. Si orientim, mos e kalo rreth 3 g në ditë pa folur me mjekun, sidomos nëse merr ilaçe për hollimin e gjakut, ke gurë në tëmth ose je shtatzënë.

Ja çfarë thotë shkenca për përfitimet e xhinxherit, sa të marrësh dhe si ta përdorësh çdo ditë.

Shkurt

  • Xhinxheri e shpejton zbrazjen e stomakut dhe përdoret prej kohësh për rëndimin dhe fryrjen pas ngrënies.
  • Ka prova të mira për të përzierat dhe dhimbjet menstruale; për peshën efekti është i vogël.
  • 1–2 g pluhur në ditë mjaftojnë për shumicën; kujdes me ilaçet e gjakut, gurët në tëmth dhe shtatzëninë.

Përfitimet e xhinxherit sipas shkencës

1. Tretje më e shpejtë dhe më pak rëndim

Në një studim me 24 të rritur të shëndetshëm, 1,2 g xhinxher në kapsula, të marra një orë para vaktit, e bënë stomakun të zbrazej dy herë më shpejt: gjysma e vaktit doli nga stomaku për rreth 13 minuta, kundrejt rreth 27 minutave me placebo. Efekt të ngjashëm pa një studim tjetër te njerëzit me dispepsi funksionale, stomakun që tret ngadalë dhe rëndohet shpejt.

Kur stomaku zbrazet më shpejt, ushqimi rri më pak aty. Në këto dy studime të vogla simptomat nuk ndryshuan ndjeshëm, por Agjencia Evropiane e Barnave e pranon xhinxherin si bimë tradicionale për shqetësimet e lehta të tretjes, përfshirë fryrjen dhe gazrat. Lexo edhe Barku i fryrë: 10 shkaqe.

2. Të përzierat

Një meta-analizë me 12 studime dhe 1278 gra shtatzëna gjeti se xhinxheri i ul të përzierat më shumë se placebo, pa rritur efektet anësore në shtatzëni. Numrin e të vjellave nuk e uli ndjeshëm. Në shtatzëni, xhinxheri merret vetëm pasi ta ketë miratuar mjeku.

Për të përzierat në udhëtim, Agjencia Evropiane e Barnave e pranon xhinxherin, por studimet janë më të përziera.

3. Dhimbjet menstruale

Një meta-analizë e studimeve të kontrolluara tregoi se 750–2000 mg xhinxher pluhur në ditë, gjatë 3–4 ditëve të para të ciklit, e ul dhimbjen menstruale krahasuar me placebo.

4. Dhimbjet e kyçeve

Te njerëzit me artrozë, xhinxheri e uli pak dhimbjen dhe vështirësinë në lëvizje, sipas një meta-analize me 5 studime. Efekti ishte modest, dhe më shumë njerëz e ndërprenë xhinxherin se placebon për shkak të efekteve anësore.

5. Pesha dhe sheqeri në gjak

Në një meta-analizë me 14 studime dhe 473 persona me mbipeshë, xhinxheri uli pak peshën, raportin bel-ije, sheqerin esëll dhe rezistencën ndaj insulinës. Efektet ishin të vogla: xhinxheri ndihmon, por nuk e zëvendëson ushqimin dhe lëvizjen. Shiko pse te Metabolizmi i ngadaltë: 7 mite.

6. Inflamacioni

Gingeroli dhe shogaoli, përbërësit që i japin xhinxherit shijen djegëse, kanë veti anti-inflamatore dhe antioksiduese. Shumica e provave vijnë nga laboratori, ndaj mos prit mrekulli, por është një arsye më shumë për ta pasur në kuzhinë. Shpesh kombinohet me shafranin e Indisë; lexo Shafrani i Indisë (kurkuma): përfitimet.

Sa xhinxher në ditë?

Për çfarëSasia në studime ose udhëzime
Tretje, fryrje, gazra0,2–1 g pluhur, deri në 3 herë në ditë
Të përziera në udhëtim1–2 g pluhur, 1 orë para nisjes
Dhimbje menstruale750–2000 mg pluhur në ditë, në 3–4 ditët e para të ciklit
ShtatzëniVetëm me miratimin e mjekut

Në kuzhinë nuk ke nevojë të peshosh. Një copë e freskët 2–3 cm në çaj ose në gatim, një deri në dy herë në ditë, është sasi e zakonshme ushqimore. Kujdesi duhet kur e merr si suplement, në kapsula ose ekstrakt, në sasi më të mëdha.

Si ta përdorësh xhinxherin

  • Çaj xhinxheri: prit 2–3 cm xhinxher të freskët në feta, zieje në 300 ml ujë për 5–10 minuta dhe shto limon. Pa sheqer, ose me 1 lugë çaji mjaltë.
  • Në gatim: supa, thjerrëza, perime në tigan, pulë ose peshk.
  • Në qull tërshëre ose smoothie: pak xhinxher i grirë i jep freski dhe e bën më të lehtë për stomakun.
  • Si shot në mëngjes: xhinxher me limon dhe shafran i Indisë, kombinimi klasik për mëngjeset me bark të rënduar.
  • Pluhur, kur s’ke të freskët. Ruaje në kavanoz të mbyllur, në vend të thatë.

Kur ta shmangësh ose të kesh kujdes

Xhinxheri në ushqim është i sigurt për shumicën e njerëzve. Në sasi të mëdha mund të shkaktojë djegie stomaku, gromësira, të përziera ose bark të prishur.

Për ilaçet që hollojnë gjakun, provat janë të përziera: në një rishikim sistematik, gjysma e studimeve gjetën se xhinxheri ul ngjitjen e trombociteve dhe gjysma jo. Është raportuar edhe rasti i një gruaje që merrte antikoagulant dhe pati gjakderdhje nga hunda pasi filloi produkte me xhinxher. Prandaj kujdesi ka kuptim.

Flit me mjekun para se ta marrësh rregullisht ose në formë suplementi nëse merr ilaçe për hollimin e gjakut, ke gurë në tëmth, je shtatzënë ose me gji, ke diabet dhe merr ilaçe për sheqerin, ose ke një operacion të planifikuar. Mos ndrysho asnjë ilaç vetë.

Detox Shot nga SoHealthy

Nga SoHealthy

Xhinxheri çdo mëngjes, pa e qëruar

Detox Shot nga SoHealthy e ka xhinxherin në qendër: gingeroli e shpejton zbrazjen e stomakut dhe ul fryrjen. Shafrani i Indisë (kurkumina) ul inflamacionin dhe mbështet mëlçinë, limoni dhe çajrat funksionalë e zgjojnë metabolizmin, ndërsa farat e fenelit qetësojnë tretjen. 1 shot esëll çdo mëngjes, 15–20 minuta para ushqimit, për një reset të përditshëm: bark më i lehtë dhe energji që në mëngjes. Është shot-i më i shitur i SoHealthy.

Shiko Detox Shot →

App-i SoHealthy

Plani i dietës, në xhepin tënd

Me çdo paketë SoHealthy merr falas në app planin e dietës 7-ditor me 21 receta dhe listë blerjesh, bashkë me udhëzimet për çdo produkt. Me paketat 14 dhe 28-ditore merr edhe plan diete personal dhe SoHealthy Premium.

Shkarko për iPhoneShkarko për AndroidBëj testin 2-minutësh

Pyetje të shpeshta

A dobëson xhinxheri?

Pak. Në një meta-analizë me 14 studime, xhinxheri uli pak peshën, raportin bel-ije dhe sheqerin esëll te njerëzit me mbipeshë. Ndihmon si pjesë e një rutine me proteinë, fibra dhe lëvizje, jo i vetëm.

A mund të pi çaj xhinxheri çdo ditë?

Po. Për shumicën e të rriturve, 1–2 filxhanë çaj me xhinxher të freskët në ditë janë sasi e zakonshme ushqimore. Nëse merr ilaçe për hollimin e gjakut, ke gurë në tëmth, je shtatzënë ose me gji, pyet më parë mjekun.

Cili produkt SoHealthy ka xhinxher?

Xhinxheri është te Detox Shot, Green Shot, Aloe Shot dhe Metabolic Shot. Për fryrjen dhe rëndimin pas ngrënies, zgjedhja kryesore është Detox Shot, 1 shot esëll çdo mëngjes, 15–20 minuta para ushqimit.

Burime shkencore

  1. Wu KL et al. Effects of ginger on gastric emptying and motility in healthy humans. Eur J Gastroenterol Hepatol. 2008;20:436–440.
  2. Viljoen E et al. A systematic review and meta-analysis of the effect and safety of ginger in the treatment of pregnancy-associated nausea and vomiting. Nutr J. 2014;13:20.
  3. Maharlouei N et al. The effects of ginger intake on weight loss and metabolic profiles among overweight and obese subjects: a systematic review and meta-analysis of randomized controlled trials. Crit Rev Food Sci Nutr. 2019;59:1753–1766.
  4. Marx W et al. The effect of ginger (Zingiber officinale) on platelet aggregation: a systematic literature review. PLoS One. 2015;10:e0141119.
  5. European Medicines Agency (HMPC). European Union herbal monograph on Zingiber officinale Roscoe, rhizoma, Revision 1. EMA/HMPC/885789/2022. 2025.

Pavli Brozi

Nutricionist dhe formulues i produkteve SoHealthy. Ndan ushqyerje të bazuar në shkencë me mbi 100 mijë ndjekës në Instagram (@nutritionbypavli) dhe në televizion.

Ky artikull është informues dhe nuk zëvendëson këshillën e mjekut.