Nga nutricionisti Pavli Brozi · 6 min lexim
Mbajtja e ujit në trup ndodh kur trupi ruan më shumë lëngje nga sa i duhen, zakonisht te këmbët, kyçet, barku dhe fytyra. Në shumicën e rasteve shkaku është i përditshëm: shumë kripë, shumë karbohidrate pas një fundjave, cikli menstrual, orë të gjata ulur ose vapa. Kjo fryrje zakonisht bie brenda pak ditësh me më pak kripë, më shumë kalium, lëvizje dhe ujë të mjaftueshëm. Kur fryrja është vetëm në njërën anë, vjen papritur ose me gulçim, duhet mjeku.
Shkurt
- Pesha mund të luhatet 1–2 kg brenda një dite vetëm nga uji, pa asnjë ndryshim në dhjamë.
- Kripa, glikogjeni, cikli dhe orët e gjata ulur janë shkaqet më të shpeshta.
- Fryrja e vetëm njërës këmbë, e fytyrës papritur ose me gulçim kërkon mjekun.
Mbajtja e ujit në trup: si e kupton
- Këmbët dhe kyçet fryhen nga mbrëmja dhe bien në mëngjes.
- Çorapet lënë vija të thella në lëkurë dhe unaza të ngushtohet.
- Barku dhe fytyra duken më të mbushura, sidomos pas një darke të kripur.
- Peshorja kërcen 1–2 kg nga një ditë në tjetrën, pa ndonjë ndryshim të madh në ushqim.
Kjo është ndryshe nga fryrja me gazra, që ndihet si tension në bark dhe lidhet me tretjen. Për atë lloj fryrjeje, lexo Barku i fryrë: 10 shkaqe.
7 shkaqet më të shpeshta të mbajtjes së ujit
1. Shumë kripë
Natriumi e tërheq ujin. Kur ha shumë kripë, trupi mban më shumë lëngje, derisa veshkat ta nxjerrin tepricën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon më pak se 5 gramë kripë në ditë, pak më pak se një lugë çaji. Një pjesë e madhe nuk vjen nga kripa që hedh vetë, por nga buka, djathi i bardhë, turshitë, sallamet, snack-et e kripura dhe ushqimet e gatshme.
2. Karbohidratet pas një fundjave
Trupi i ruan karbohidratet në muskuj dhe në mëlçi si glikogjen, dhe çdo gram glikogjen mban me vete rreth 3–4 gramë ujë. Pas një darke me makarona, pica ose ëmbëlsira, peshorja e nesërme mund të tregojë më shumë. Është ujë, jo dhjamë. Për të njëjtën arsye, kilet e para në dietën keto ikin shpejt dhe kthehen shpejt.
3. Cikli menstrual
Në një studim njëvjeçar me 62 gra dhe 765 cikle, ndjesia e mbajtjes së ujit arrinte kulmin ditën e parë të menstruacioneve dhe ishte më e ulët rreth një javë pas fillimit të tyre. Mos u pesho në këto ditë për të gjykuar dietën. Krahaso peshën me të njëjtën ditë të ciklit të kaluar.
4. Orë të gjata ulur ose në këmbë
Muskujt e pulpës punojnë si pompë që e kthen gjakun dhe lëngjet lart drejt zemrës. Kur rri gjatë pa lëvizur, në zyrë, në makinë ose në avion, kjo pompë ndalon dhe lëngu mblidhet te kyçet dhe shputat.
5. Vapa
Në të nxehtë, enët e gjakut zgjerohen që trupi të nxjerrë nxehtësinë, dhe më shumë lëng kalon në indet e këmbëve. Prandaj në korrik e gusht këmbët fryhen më lehtë, sidomos në mbrëmje.
6. Pi shumë pak ujë
Kur pi pak, trupi e kursen ujin: rrit hormonin antidiuretik dhe veshkat nxjerrin më pak urinë. Shumë njerëz e ulin ujin kur ndihen të fryrë, por kjo rrallë ndihmon. Pi rregullisht gjatë ditës; urina e verdhë e çelët është shenjë e mirë. Lexo Sa ujë duhet të pish në ditë.
7. Ilaçet dhe hormonet
Disa ilaçe për tensionin, pilulat kontraceptive, terapia hormonale, disa antidepresivë dhe kortikosteroidet mund të shkaktojnë fryrje. Nëse fryrja nisi pas një ilaçi të ri, mos e ndërprit vetë: fol me mjekun.
Si ta heqësh ujin e tepërt natyrshëm
- Ul kripën. Gatuaj vetë më shpesh, mbaje djathin e bardhë pak në ujë para se ta hash, kujdes me turshitë dhe sallamet, dhe jepi shije gjellës me limon, hudhër dhe erëza.
- Shto kalium. OBSH rekomandon të paktën 3510 mg kalium në ditë për të rriturit. Kaliumi e balancon natriumin dhe i ndihmon veshkat ta nxjerrin. E gjen te fasulet, thjerrëzat, patatet me lëkurë, spinaqi, domatet, bananet, portokallet, kajsitë e thata dhe kosi.
- Lëviz çdo orë. 3–5 minuta ecje ose ngritje në majë të gishtave mjaftojnë që pulpat ta rinisin pompën.
- Ngriji këmbët lart 15–20 minuta në mbrëmje, mbi një jastëk ose karrige.
- Pi ujë rregullisht gjatë gjithë ditës, jo shumë njëherësh.
- Mos vish rroba, çorape ose këpucë që shtrëngojnë.
- Mos merr pilula diuretike pa recetë. Ato nxjerrin ujë dhe kripëra minerale bashkë, dhe mund ta prishin ekuilibrin e trupit.
Sa shpejt ikën uji i tepërt?
Uji nga një darkë e kripur ose nga karbohidratet zakonisht ikën brenda 1–3 ditësh, kur kthehesh te ritmi normal. Ai i ciklit bie pas ditëve të para të menstruacioneve. Nëse të dyja këmbët mbeten të fryra edhe pas disa ditësh me këto masa, ose fryrja shtohet, shko te mjeku.
Shko te mjeku pa vonesë nëse fryhet vetëm njëra këmbë dhe nuk e di pse, sidomos me dhimbje, skuqje ose nxehtësi; nëse të fryhet papritur fytyra ose barku; nëse ke sëmundje të zemrës, të veshkave ose të mëlçisë; nëse ke diabet dhe të fryhen këmbët; ose nëse je shtatzënë dhe fryrja vjen papritur në fytyrë dhe duar. Nëse fryrja vjen bashkë me gulçim, shtrëngim ose dhimbje në gjoks, thirr urgjencën menjëherë. Mos e ndërprit vetë asnjë ilaç.

Nga SoHealthy
Kur trupi mban ujë dhe barku duket më i madh
Green Shot nga SoHealthy bashkon selinon, diuretik natyral që e ndihmon trupin të nxjerrë ujin e tepërt, me limonin dhe xhinxherin që nxisin tretjen. 1 shishe esëll çdo mëngjes, 15–20 minuta para ngrënies. Funksionon më mirë bashkë me më pak kripë, ushqime me kalium dhe lëvizje gjatë ditës. Nuk e zëvendëson ujin e ditës: sasinë që të duhet vazhdo ta pish.
App-i SoHealthy
Plani i dietës, në xhepin tënd
Me çdo paketë SoHealthy merr falas në app planin e dietës 7-ditor me 21 receta dhe listë blerjesh, bashkë me udhëzimet për çdo produkt. Me paketat 14 dhe 28-ditore merr edhe plan diete personal dhe SoHealthy Premium.
Pyetje të shpeshta
Sa kile ujë mund të mbajë trupi?
Pesha mund të luhatet 1–2 kg brenda një dite vetëm nga uji, sidomos pas një darke të kripur, pas shumë karbohidrateve ose në ditët e ciklit. Prandaj shiko mesataren e javës, jo peshën e një dite.
A ndihmon të pish më shumë ujë kur mban ujë?
Zakonisht po. Kur pi pak, trupi e kursen ujin dhe veshkat nxjerrin më pak urinë. Pi rregullisht gjatë ditës. Nëse ke sëmundje të zemrës ose të veshkave, sasinë e ujit e vendos mjeku.
Cili produkt SoHealthy ndihmon për mbajtjen e ujit?
Green Shot, me selino, limon dhe xhinxher, 1 shishe esëll çdo mëngjes. Për një rutinë 7-ditore, paketa Detox & Green kombinon Detox Shot në mëngjes, esëll, me Green Shot në drekë, 20 minuta para ushqimit.
Burime shkencore
- World Health Organization. Guideline: sodium intake for adults and children. Geneva: WHO; 2012.
- World Health Organization. Guideline: potassium intake for adults and children. Geneva: WHO; 2012.
- Kreitzman SN et al. Glycogen storage: illusions of easy weight loss, excessive weight regain, and distortions in estimates of body composition. Am J Clin Nutr. 1992;56:292S–293S.
- White CP et al. Fluid retention over the menstrual cycle: 1-year data from the prospective ovulation cohort. Obstet Gynecol Int. 2011;2011:138451.
- NHS. Oedema (swelling): causes, self-help and when to get help. nhs.uk.



